Sunday, February 10, 2008

U inçizua film për Vladimir Putinin?

Një film i bazuar në jetën private të presidentit rus, Vladimir Putin, do të publikohet së shpejti në Rusi. Filmi i quajtur “A Kiss – Off the Record” do të dalë në dyqanët e vendit në DVD në ditën e “Shën Valentinit”. Heroi i filmit është një rus, i cili punon për shërbimet sekrete dhe martohet me një stjuardesë. Ai ka dy vajza dhe pas disa vitesh bëhet president. Historia ngjan plotësisht me jetën e shefit të Kremlinit, pavarësisht se emri i Putinit nuk përmendet në film. Megjithatë, skenat kryesore të filmit rikrijojnë ngjarjet më të rëndësishme në jetën personale të Putinit, si takimi i parë me gruan e tij, Ludmila, martesa e tyre në vitin 1983 dhe largimi në Drezden të Gjermanisë, ku ai punoi për KGB-në. Mediat ruse raportojnë se filmi ka 5 vjet që ka përfunduar, por Kremlini vendosi ta nxjerrë në treg vetëm tani, që Putin do të largohet nga posti i presidentit, pas përfundimit të mandatit të tij. Në arenën ndërkombëtare, shumë pak dihet mbi jetën private të presidentit. Gruaja e tij, Ludmila, shfaqet shumë rrallë në publik, dhe nëpër media ka shumë pak fotografi të dy vajzave të tij, Maria dhe Katerina. Producenti Anatoly Voropayev ka deklaruar se prodhuesit e filmit nuk janë konsulutuar me Kremlinin për realizimin e tij, megjithëse një gjë e tillë është e vështirë të besohet, kur Rusia ndodhet nën regjimin autokratik të “carit” të shekullit të 21-të, Vladimir Putin.

No comments: