Sunday, February 17, 2008

Kosova, SOT (e djelë) e pavarur

Kosova, shteti më i ri në botë, do të shpallet e pavarur sot, në orën 15:00. Një axhendë e shpërndarë ka zbuluar përfundimisht se shpallja e mëvetësisë do të bëhet pikërisht në ditën e pritur, sot, e diel 17 shkurt. Deri më tani, këtë datë nuk e ka konfirmuar asnjë lider i besueshëm politik, për shkak të shqetësimeve që ndërlidhen me sigurinë, të imazhit që do të dalë nga Kosova atë ditë dhe të ngjarjeve në Serbi.

Kjo axhendë është përgatitur disa ditë më herët, por është shpërndarë vetëm pas disa ngjarjeve të rëndësishme që kaluan - zgjedhjeve në Serbi, inaugurimit të Presidentit serb, Boris Tadiç, dhe mbajtjes së seancës së Këshillit të Sig
urimit. Pikërisht pas takimit në Nju Jork të ambasadorëve të vendeve anëtare është konfirmuar se procesi i shpalljes është i pashmangshëm.

Kështu, vendi plotëson një proces të gjatë, fillimisht të krijimit të aspiratave shtetërore, luftës për to dhe realizimin e tyre pas një periudhe të gjatë të negociatave, të cilat do të rezultojnë me një shtet shumetnik, atributet e të cilit dalin pikërisht nga propozimi i Marti Ahtisarit. Duken rrethana të mrekullueshme për natyrën e Ballkanit - moti është i përshtatshëm, trupat e NATO-s gjenden në terren dhe sidomos fjalori politik është tejet i kontrolluar. Trupat e KFOR-it kanë demonstruar prezencën e tyre këto ditë, ndërkohë që janë reklamuar në masë të madhe forcat kosovare të sigurisë.


80 tonë fishekzjarre për festimet

Duke ditur traditën shqiptare dhe ballkanike se gëzimet nuk përjetohen si duhet pa krisma, Këshilli Organizativ i Pavarësisë ka vendosur ta vazhdojë këtë ritual. Nga rreth 1 milion euro që qeveria i ka vënë në dispozicion për t‘i shpenzuar për këtë ditë, Këshilli Organizativ ka vendosur që të ndajë disa për fishekzjarre. Në këtë mënyrë, rreth 80 tonë fishekzjarre janë sjellë nga Bullgaria në Kosovë, ndërkohë që në tërë territorin e vendit përcjelljen e ka bërë policia. Burime qeveritare thanë për "Express" se 80 mijë kilogramë fishekzjarre, përveç kryeqytetit të Kosovës, do të shpërndahen edhe në qytete të tjera të vendit.

"Policia ka bërë përcjelljen e tyre. Ato janë dërguar në vendin e posaçëm dhe do të jenë gati në ditën festive", thanë burimet. Sipas tyre, për sjelljen e kësaj sasie fishekzjarresh, veç kontrollit të zakonshëm në doganë, lejen është dashur ta japë edhe Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM). Azem Rexhaj, drejtor i këtij komisioni, thotë se KPMM-ja bën licencimin e importit dhe deponimit të tyre. "Kompanitë importuese janë përgjegjëse për shpërndarjen e fishekzjarrëve, e bëjnë shpërndarjen sipas kërkesave të tregut", thotë Rexhaj. Ai sqaron se puna e këtij komisioni është të sigurohet nëse fishekzjarret janë të certifikuara konform standardeve ndërkombëtare. "Po, mund ta konfirmojmë se policia ka bërë përcjelljen e fishekzjarreve nga kufiri deri në vendin e caktuar", tha Veton Elshani, zëdhënës i policisë.

Axhenda

E diela e pavarësisë

10:00
Kryeministri shkon nga qeveria në Parlament dhe dorëzon kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të Parlamentit

11:00
Kryeministri publikon kërkesën për një seancë të jashtëzakonshme të Parlamentit

12:00
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

13:30
Takimi i grupeve parlamentare

15:00
Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës

18:00
Deklaratë nga të tre liderët në hotelin "Grand", në Media CENTER

18:30
Paraqitja e obeliskut të pavarësisë përpara Pallatit të Rinisë në Prishtinë

19:00
Koncerti i Filarmonisë së Kosovës në hollin e koncerteve "1 Tetori"

20:00
Koncert në sheshin e qytetit

22:50
Presidenti dhe Kryeministri u drejtohen qytetarëve të Kosovës

23:00
Fishekzjarre të ngritura në katër pjesë të ndryshme të Prishtinës

No comments: