Saturday, January 12, 2008

Ne afersi te Shkupit , konkretisht ne Katllavon sot eshte rrezuar nje helikopter i ARM- se

Një helikopter i Armatës së Maqedonisë është rrëzuar sot herët në mëngjes në afërsi të Shkupi, me ç`rast kanë humbur jetën njëmbëdhjetë pjestarë të ekiupazhit, informon agjencia e lajmeve INA. Siç bëhet e ditur helikopteri është rrëzuar sot në mëngjes në lokacionin Katllanovë në afërsi të Shkupit.

Helikopteri M-17 ishte kthyer nga misioni EUFOR-ALTEA në Bosnjë-Hercegovinë, ku mori pjesë edhe Armata e Maqedonisë, bën të ditur ministria e Mbrojtjes. Në vendngjarje kanë dalur ekipe të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme dhe zjarrëfikësve.

Deri tani nuk bëhen të ditura motivet e rrëzimit të helikopterit dhe nuk janë detaje lidhur me ngjarjen se si ka ndodhur. Qeveria ka filluar një seancë të jashtëzakonshme ku po marrin pjesë edhe shefi i shtabit të përgjithshëm të ARM-së, Mirosllav Stojanovski dhe kryetari i Institutit për Mjekësi Ligjore, Aleksej Duma. Burime qeveritare njoftuan për agjencinë INA se në këtë seancë urgjente të thirrur nga kryeministri Gruevski po marrin pjesë të gjithë ministrat dhe se në të do të referohen të dhënat rreth këtij incidenti, ku humbën jetën 11 pjestarë të ushtrisë.

Në terren po vazhdojnë kontrolli dhe hetimet nga ekipe të specializuara të krim-policisë, ekspertë të fluturimeve civile dhe ekspertë të ushtrisë. Janë parë pjesë të helikopterit të rrëzuar në një distancë prej 50 metrash. Sipas informacioneve të para të Ministrisë së Mbrojtjes, helikopteri transportues M-17 është rrëzuar në afërsi të lokacionit ku duhej të ateronte, mirëpo ai i ka humbur radarëve të kontrollit 5 milje nga vendi i aterimit. Ministria e Mbrojtjes njoftoi se deri tani janë gjetur 8 trupa nga gjithsejt 11 dhe pritet dërgimi i tyre në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Familje të ushtarëve që janë pjesë e misionit Altea në Bosnjë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kërkojnë informacione nga autoritetet policore dhe të ushtrisë, mirëpo ata nuk janë lejuar t`i ofrohen vendit të aksidentit për shkak të hetimeve që po kryhen.

Kryeministri Nikolla Gruevski ka shprehur keqardhje dhe ngushëllime për familjet e viktimave.

“Ka ndodhur një tragjedi e madhe dhe se deri tani nuk është vërtetuar se për çfarë fatkeqësie bëhet fjalë. Helikopteri ka qenë në fazën e aterimit në Shkup dhe në ate moment ka ndodhur fatkeqësia”, theksoi kryeministri Nikolla Gruevski.

Ushtarët e misionit paqëruajtes EUFOR-ALTEA në Bosnjë Hercegovinë po ktheheshin në Maqedoni pas kryerjes së misionit të tyre gjashtëmujor. Ata kanë fluturuar me helikopterin ushtarak MI-17 rreth orës 10 nga Sarajeva, ndërsa rreth orës 12 ka ndodhur fatkeqësia në Katllanovë në afërsi të Shkupit.

No comments: