Saturday, April 5, 2008

Zbulohet e dashura e Adrian Gaxhës

Është zbuluar më në fund edhe shqiptarja, që i ka pushtuar zemrën këngëtarit nga Maqedonia. Adrian Gaxha është i dashuruar me Luanën, velinën brune të emisionit "Fiks fare". Bëhet fjalë për një lidhje dashurie, që në fakt ka nisur pak kohë më parë dhe që ka ardhur si fryt i një miqësie relativisht të gjatë. Ka qenë vizita e fundit e këngëtarit javën e kaluar në Tiranë, që na ka ndihmuar të zbulojmë ekzistencën e kësaj lidhjeje intime. Edhe pse vetë bukuroshja e Fiksit nuk dëshiron ta pranojë këtë raport, miq të përbashkët të tyre tregojnë, se tashmë mes saj dhe Adrianit ekziston diçka më tepër se sa miqësia e thjeshtë. Ky fakt e ka marrë spunton nga fotot eksluzive të çiftit të realizuara fundjavën e shkuar tek "Sharm", një prej lokaleve të natës, tepër i preferuar nga personazhet e njohur të skenës dhe ekranit. Paparaci ynë i ka fotografuar së bashku të dy të rinjtë, që me sa duket e kanë shijuar mbrëmjen në shoqërinë e njëri-tjetrit. E ndërsa Adrian Gaxha ka qenë i ftuar për të performuar në këtë lokal duket, se Luana ka përfituar nga rasti për t'i bërë shoqëri dhe për të kaluar disa orë pranë tij. Gjatë kohës që këngëtari ka pushuar në pauzat midis këngëve, e ulur në krah të tij ka qenë velina bukuroshe si edhe disa miq të përbashkët, të cilët kanë qëndruar aty deri në fund të mbrëmjes. Flitet, se pikërisht Luana është arsyeja, që e sjell gjithmonë e më shpesh në Shqipëri këngëtarin nga Maqedonia, ndonëse shpesh gjatë këtyre vizitave përpiqet të mos jetë shumë prezent në jetën publike të kryeqytetit shqiptar. Miqtë e tyre tregojnë, se ata janë njohur gati dy vjet më parë, në një prej lokaleve të kryeqytetit dhe që nga ajo kohë u bënë shokë të mirë. Por kohët e fundit, raportet mes tyre kanë ndryshuar dhe duket, se ka qenë këngëtari ai, që e ka hedhur hapin e parë për ta çuar marrëdhënien, që ekzistonte në një stad tjetër. E ndërsa Luana po përpiqet ta ruajë ende intim këtë raport duke mos pranuar ta bëjë atë të njohur për mediat, Gaxha ka guxuar sërish diçka më tepër. Pikërisht fundjavën e shkruar, i ftuar në emisionin "Zonë e lirë" ai ka pranuar, se dashuria e tij ndodhet në Shqipëri dhe se është një vajzë shqiptare ajo, që ia ka pushtuar zemrën plotësisht. Ndonëse nuk ka pranuar ta tregojë identitetin e saj, mësojmë se nuk bëhet fjalë për njeri tjetër, por veçse për Luanën, bukuroshen e "Fiks fare". Ndoshta largësia i vështirëson disi raportet e dy të rinjve në këtë lidhje, por besojmë se ky fakt ka ndikuar gjithashtu për ta mbajtur larg edhe vëmendjen e mediave. Adrian Gaxha është momentalisht një prej këngëtarëve më të kërkuar në Maqedoni, jo vetëm prej shqiptarëve, por edhe prej maqedonasve, sepse ai këndon edhe në këtë gjuhë.