Saturday, April 5, 2008

Hollywood, pregatit film për Skënderbeun

Bota ka shtatë sheshe me emrin e Skënderbeut, shtatë buste në kryeqytetet kryesore dhe emri i Heroit Kombëtar është në të gjitha enciklopeditë botërore. Por tashmë figura e tij pritet të lidhet me një film që do të dalë nga studiot e prodhimit të Hollivudit, shkruan Tirana observer.

Projekti që prej kohësh diskutohet në Shqipëri duket se do të marrë udhë shumë shpejt nga kompania prestigjoze “Warner Bros”. Shqiptarë të diasporës dhe komunitetit shqiptar në Amerikë, prej kohësh ka ndërmarrë një fushatë ku me anë të një peticioni i kërkojnë kompanisë të marrë përsipër realizmin e një filmi për Heroin tonë Kombëtar.

Pas dokumentarit të prezantuar në SHBA një vit më parë për jetën e Gjergj Kastriot Skënderbeut, tashmë një prej producentëve të njohur amerikanë pritet të marrë përsipër realizmin e filmit.

Përveç kompanisë “Warner Bros” edhe Zack Snyder është producenti drejt të cilit i është dërguar një peticion i firmosur nga mijëra shqiptarë për realizmin e filmit.

Zak Snyder është një nga producent më të njohur në prodhimin e filmave me karakter historik. Suksesi i tij më i fundit është realizmit i filmit "300". Ndërkohë që dhe nisja e punës për realizmin e këtij filmi ka nisur pikërisht me peticione. Por përse Skënderbeu i tërheq kaq shumë producentët e ndryshëm. Figura e tij tashmë ka hyrë në fondin e personaliteteve ndërkombëtare. Në botën e organizatave ndërkombëtare ai cilësohet dhe si pararendës i aleancës së parë evropiane.

Një vit më parë "Illyria Entertainment Group" prezantoi në Miçigan të SHBA-së një film dokumentar mbi jetën e heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu. Dokumentari ende nuk është bërë publik i plotë, por qarkullon në formën e spoteve publicitare në saite të ndryshme ndërkombëtare. Dokumentari cilësohet si një nga prekte më të rëndësishëm që do të shërbejë për të njohur figurën e Skënderbeut. Ndërkohë që publikimi i këtij dokumentari pritet të zgjojë dhe interesin e producentëve të ndryshëm për ta marrë seriozisht mundësinë e një filmi artistik për jetën e Heroit tonë Kombëtar.

Një tjetër projekt për realizimin e një filmi për jetën e Skënderbeut është ai i regjisorit dhe producentit të njohur shqiptaro-amerikan, Stend Dragoti. Para një viti u shpreh se do të realizonte një film për historinë e jetës së Skënderbeut. Ndërkohë që projekte të ndryshme gjatë viteve janë paraqitur dhe nga regjisor të vendeve fqinjë, si ai i italianit Roberto de Feo.

Ndërkohë që deri më sot filmi i vetëm dinjitoz me metrazh të gjatë është ai i realizuar nga rusët në vitin 1957.

Regjisori amerikan me origjinë shqiptare, gjatë vizitës së tij një vit më parë në Shqipëri deklaroi se do realizonte një film për Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Është një film që ne do ta bëjmë në mënyrë paksa të ndryshme.

"Unë nuk mund të bëj një film si "Braveheart", për të cilin u deshën 60-70 milionë dollarë. Nuk kam dëshirë të bëj një film me shpata e mburoja. Skënderbeu bëri shumë beteja dhe për këtë do të duhej një film i gjatë 20 orë. Por jam i interesuar në një gjë: Askush deri më sot nuk ka pasqyruar në një film se cili ishte Skënderbeu, çfarë mendonte ai në kokën e tij, cilat ishin shqetësimet e tij dhe ç'e shtyu të vinte nga Turqia, ku u rrit si figurë ushtarake e të kthehej në vendlindje, duke e ditur se ata do të hakmerreshin me të gjithë forcën kundër tij", ka thënë Stend Dragoti një vit më parë në një intervistë. Ndërkohë është parashikuar që Skënderbeu më parë të realizohej në një film për fëmijë, në mënyrë që të familjarizohej publiku që nuk e njeh këtë figurë.

Një nismë të ngjashme me atë Sten Dragotit, para katër vitesh do ta merrte dhe Cinecittà në Itali. Regjisori Roberto de Feo mori përsipër realizimin më të madh që ishte parë ndonjëherë në Itali. Një film që do t'i kushtohej Heroit tonë Kombëtar dhe që do kishte skena magjepsëse të betejave. Madje De Feo dhe bashkëpunëtorët kishin llogaritur të sfidonin dhe efektet skenike të filmit "Troja". De Feo vendosi për të realizuar projektin me ndihmën e arbëreshëve të Italisë, por edhe sot në ekranet e kinemasë nuk është parë i realizuar ky projekt.

Filmi "Skënderbeu" është një nga prodhimet më serioze të kinematografisë sonë në bashkëpunim me atë sovjetike. Filmi u realizua në vitin 1953. Drejtor i filmit ishte Sergei Jutkeviç, skenarist Mikhail Papava. Në rolet kryesore luanin aktori ukrainas, Akaki Khorava, në rolin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu.

Besa Imami në rolin e Donikës, Adivie Alibali në rolin e Mamicës, aktori rus Semion Sokolovski në rolin e Hamzait, aktorja ruse Veriko Anxhaparizhe në rolin e Dafinës, Naim Frashëri në rolin e Palit dhe në rolet e tjera aktorët rusë, Xhorxhi Çernovolenko, Oleg Zhakov, Aleksandër Vertinski, Sergo Zakariaxhe, Vladimir Belokurov, Vagram Papazian, Boris Tenin. Në Amerikë u shfaq në vitin 1953, me titullin "Great Warrior Skanderbeg", (Luftëtari i Madh Skënderbe).

Filmi u xhirua në dy vende, në Shqipëri dhe në Rusi, dhe është i gjatë 90 minuta. Edhe pse bashkëpunim shqiptaro-rus filmi "Skënderbeu" është i pari prodhim kolosal i Kinostudios. Ky është edhe filmi i parë që përfaqësoi vendin tonë dhe Rusinë në Festivalin e Kanës, ku u nominua me një çmim për regjisorin.

No comments: