Saturday, December 22, 2007

Olta Boka do ta perfaqesoj Shqiperine ne Festivalin Evropian


Shqipëria do të përfaqësohet në Festivalin Evropian të Këngës 2008 në Beograd, me kengën "Zemrën e lamë peng" kënduar nga Olta Boka, kompozim i Ardian Hilës, me tekst të Pandi Laços. Kjo këngë u shpall fituese e edicionit të 46-të në Këngës në RTSH, mbrëmë më 16 dhjetor, në Pallatin e Kongreseve.

Juria e festivalit e përbërë nga Agim Krajka, David Tukiqi, Gjergj Leka, Gjergj Xhuvani, Rudina Magjistari, Baton Haxhiu dhe Alban Skënderaj, secili prej tyre në fund të natës së tretë, zgjodhi 10 këngë për të cilat u votua me pikë nga 1 deri në 9, ndërsa kënga fituese me 12 pikë. Votim u bë direkt në sallë ku u shpallën dhe tre çmimet e para.


Në natën finale morën pjesë këngëtarët Samanta Karavello, Produkt 28, Eneda Tarifa, Mariza Ikonomi, Mira Konçi dhe Redon Makashi, Flaka Krelani dhe Doruntina Disha, Manjola Nallbani, "Kthjellu", Kozma Dushi, Devis Xherahu, Teuta Kurti, Greta Koçi, Juliana Pasha, Agim Poshka, Jonida Maliqi, Olta Boka dhe Rosela Gjylbe.

Kjo është hera e pestë që Televizioni Publik Shqiptar mundëson prezantimin e këngës së lehtë shqiptare në Eurosong. Për herë të parë kjo ndodhi në vitin 2004, kur kënga "Imazhi yt" i kompozitorit Edmond Zhulali u interpretua në skenën e Eurosong-ut në Turqi nga Anjeza Shahini.

Një vit më pas në këtë festival Shqipëria u përfaqësua me këngëtaren Ledina Çelo me këngën "Nesër shkoj" e kompozitorit Adrian Hila. Në vitin 2006 përfaqësimi u bë me këngëtarin Luis Ejlli me këngën "Zjarr e ftohtë" të Klodian Qafokut. Hera e fundit ishte për këngëtarin Frederik Ndoci, në maj 2007-s, në Helsinki me këngën "Balada e gurit", e kompozuar Adrian Hila.

No comments: