Wednesday, December 19, 2007

"Fiks Fare" mbush 5 vjet


Të gudulisësh duke pickuar, një misioni i kryer

Si sot, 5 vjet më parë, në ekranin e "Top Channel", do të fillonte emisioni "Fiks Fare", unik për nga lloji në raport me gjithë formatin mediatik në historinë e televizioneve shqiptare, duke nisur nga ai i vetmi për 5 dekada, TVSH, e duke përfshirë të gjithë ato kanale private që nisën të lindnin pas vitit 1997. "Fiks Fare" ishte dhe rrjedhojë e një revolucioni mediatik që po ndodhte që me krijimin e "Top Channel", ku për herë të parë, afirmoheshin si risi, pothuajse të gjithë komponentët e një televizioni, që nga ata lehtësisht të dukshmit, e deri tek ata më të imtësishmit.

"Fiks Fare" ishte krijim i "Top Channel" dhe nuk kish si të ndodhte ndryshe.

Pasi kanali me një vit jetë, kishte afirmuar veten si të pangjashëm në formatin e një edicioni lajmesh e në disa emisione të tjera, vjen radha e "Fiks Fare", një ndërmarrje kurajoze nga ana gazetareske dhe tejet e vështirë nga linja artistike. Të dyja linjat duhet të puqeshin në një pikë dhe të krijonin një të tërë, pa asnjë çarje, pa asnjë stonaturë në kompozimin e përgjithshëm. Ndaj dhe "Fiks Fare" është një emision i gamës së gjerë, ku gjen gazetarinë e mirëfilltë dhe brenda saj, investigimin. Aty gjen komponentët e shumtë artistikë, që nga skenografia, ndriçimi, efektet audio, aktrimi i drejtuesve, performimet e balerinave etj. Ndërkohë që brenda hapësirës gazetareske, përfshihen dhe shumë gjini, deri tek ajo më çlodhësja siç është monitorimi. Me gjithë këta komponentë, realizimi i "Fiks"-it nuk ishte i thjeshtë. Deri në çastin e transmetimit në ekran, emisioni ka kaluar faza të gjata dhe të vështira të kompletimit e provave për të qenë sa më justifikues i vetvetes në mesazhin që kishte për të përcjellë. Kështu mund të thuhet dhe për anën gazetareske. Nisur nga psikologjia shoqërore shqiptare, teorikisht mundësia që "Fiks"-i të funksiononte të paktën ashtu siç ishte parashikuar në projekt, ishte e pamundur.

Ndaj, shërbeu si model përqasës, emisioni i famshëm italian, "Stricsa la Noticia", për të bërë të mundur realizimin e teorisë në praktikë. Në finale të gjithë kësaj, do të ishte zbulimi, evidentimi, faktimi dhe argumentimi sigurisht me fakte i çdo paudhësie që ndodhte në Shqipëri, nga instanca politike qeverisëse të niveleve të larta apo të ulëta, përfaqësuar nga individë të veçantë apo grupe individësh. Dhe jo vetëm kaq. Publikut duhet t‘i servirej çdo paradoks i jetës reale edhe nëse politika nuk ishte në mes. Dhe për këtë, "Fiks"-i u konceptua dhe u ndërtua si një fabrikë me lëndën e parë që kalonte proces pas procesi në përpunim, ambalazhim e deri në servirje.

Lënda e parë, do të garantohej nga një staf gazetarësh e kameramanësh profesionistë, që më së paku, nuk do të kishin orar; më së shumti do t‘i provonin vetes që gazetari nuk është thjesht rrogëtar. Më pas, materiali që do të thithej prej tyre nga terreni, nga realiteti i jetës së përditshme, do të kalonte në proces viviseksioni nga ana e drejtuesve dhe redaktorëve, që më pas i ambalazhuar u jepej drejtuesve për shfaqje në publik. Këtë finale delikate do të mbanin si peshë e përgjegjësi, dyshja e drejtuesve, Saimiri dhe Doktori, të kombinuar në atë mënyrë në bazë të veçantive psikologjike për të qenë në çdo moment shpërthyes në batuta dhe me një ndërthurje harmonike, ku askush mos mbetej në hije të tjetrit. Dhe fakti që sot, "Fiks Fare", rezulton me një audiencë konstante dhe tërheqje asnjëherë në zbehje, tregon se gjithçka funksiononte e funksion siç duhet. Kjo mund të thuhet lehtësisht, ndërkohë që në të vërtetë nuk ka qenë tërësisht ashtu. Një ndër sfidat më të vështira të drejtuesve, ka qenë përballja me politikën.
Në dukje, politika është përpjekur të jetë e buzëqeshur me emisionin, por një pjesë e saj, nuk e ka dashur dhe arsyeja dihet: "Fiks"-i ishte i pamëshirshëm në raport me fenomenet, pa bërë asnjë diferencim për kahet politike se nga vinin ato. Në këtë pikë ka ndodhur dhe paradoksi më i madh që në varësi të të qënit në pushtet apo në opozitë, partitë shqiptare janë pozicionuar në miqësi apo në armiqësi me këtë emision. Por paçka të gjitha këtyre, "Fiks Fare", tashmë është sa histori e sa realitet në median shqiptare. Historinë, sepse është shkruar me një tjetër gjuhë historia e Shqipërisë në 5 vjet; realitet, sepse "Fiks Fare" vijon me këtë mision pa asnjë stepje.

Ne që shkruajmë historinë e ‘Fiks"-it mjaft të urojmë vetveten për jetë e karrierë sa më të gjatë, brenda së cilit është dhe urimi për "Fiks Fare", jetëgjatësinë e tij.

No comments: