Sunday, June 15, 2008

Duhanpirja “korrupton” trurin

Në momentet e ngarkuara, stresante e të tensionuara, shumë i besojnë një cigareje për të gjetur shpëtim. Rastet janë të panumërta, aq sa të shumtë janë ata që tymosin. Por, në fakt, studimet e ndryshme që janë bërë tregojnë se duhanpirja rrezikon seriozisht organizmin, në mënyrë të veçantë kujtesën dhe mundësinë e arsyetimit për të zgjidhur problemet.

Kjo është një tezë e mbështetur prej kohësh dhe që tashmë qëndron në bazë të një studimi të realizuar nga një institut shëndetësor francez, i njohur në fushën e vet, në bashkëpunim me një universitet në Londër dhe publikuar në revista mjekësore.

Për studimin në fjalë, kërkuesit shkencorë janë mbështetur në të dhëna interesante, që datojnë që në vitin 1985, kur një studiues ekzaminonte raportin mes statusit socio-ekonomik dhe shëndetit. Të dhënat u mblodhën pas anketimeve të 10.308 punonjësve të ndryshëm.

Mes viteve, 1997-1999 e deri në periudhën 2002-2004 u vlerësuan shumë sjellje duke vrojtuar duhanpirësit. Në konsideratë, përpos pjesëve të sjelljes u morën edhe shpejtësia në arsyetime dhe kujtesa e të analizuarve. Me kalimin e kohës, ndërkohë që ata mbaheshin nën vëzhgim u vunë re humbje të ndjeshme të disa zakoneve, që më parë i kishin pasur. Kujtesa, reagimi, mundësia për të arsyetuar shpejt e në mënyrë të logjikshme. Në vlerësimin e atyre që morën pjesë në këtë studim u morën parasysh

një sërë faktorësh; mosha, seksi, statusi civil, niveli arsimor dhe pozicioni social-ekonomik dhe shëndeti në përgjithësi. Këto sipas specialistëve kanë ndikimin e vet në studim, për të cilin një pikë më vete ishte edhe nëse ata konsumonin alkool apo përdornin droga.

Rezultatet e studimit tregojnë një lidhje mes duhanpirjes dhe riskut të madh në problemet me kujtesën dhe aftësinë për të formuluar një arsyetim linear. “Të pish duhan, nuk të ‘korrupton’ vetëm shëndetin në përgjithësi, por edhe trurin”- theksuan studiuesit.

Aq e dukshme është kjo sipas studiuesve, sa për shumë prej të analizuarve, fill pas lënies së duhanit, stili i tyre i jetës ndryshonte në mënyrë rrënjësore, sikur të lësh duhanit, është e njëjta gjë si ti të kujdesesh për veten në një mënyrë më komplete.

No comments: