Sunday, May 11, 2008

Të vërtetat e mitet për trurin

Janë të shumta, na çudisin, por shpesh nuk janë të provuaraA na bën më inteligjentë një tru me përmasa më të mëdha? A e kanë më të fortë shqisën e të dëgjuarit të verbrit? Si na fiksohet gjatë gjithë ditës apo ditëve me radhë i njëjti lajtmotiv që na përsëritet vazhdimisht në mendje? Ja disa nga sekretet e lëndës sonë gri.

Fakti: nuk mund të gudulisim veten
Kur një doktor ekzaminon një pacient që guduliset, ai ia vendos atij njërën dorë mbi dorën e tij për të shmangur ndjesinë e të gudulisurit. Përse funksionon kjo? Sepse pavarësisht se sa të ndjeshëm ndaj gudulisjes mund të jeni, nuk mund ta bëni kurrë këtë veprim me veten tuaj. Shpjegimi është se truri përqendrohet në atë që ndodh jashtë. Për shembull, ne nuk mund ta dallojmë llojin e materialit të çorapeve që kemi veshur, por ama mund të ndiejmë një gur në këpucë.

Fakti: Meloditë e kota është e vështirë që t‘i harrosh


Nuk ka gjë më acaruese sesa një melodi e mërzitshme që përsëritet e përsëritet pa reshtur në mendjen tonë. "Faji" është i aftësisë së trurit për të fiksuar gjëra të vogla. Çdo ditë na duhet të mbajmë mend copëza veprimesh që nga larja e dhëmbëve, përgatitja e kafesë, rruga që bëjmë zakonisht për në punë e shumë gjëra të tjera. Aftësia për të kujtuar këto veprime na e bën të mundur ekzistencën e përditshme. Për sa u përket copëzave të një kënge ose melodie truri i lidh ato menjëherë me një nga copëzat e veprimeve të mësipërme. Një gjë e tillë e shton mundësinë e rikujtimit të melodisë. Ky cikël ndihmon në ruajtjen e kujtimeve. Po si mund ta prishësh këtë model? Një mënyrë është futja e sekuencave të tjera që interferojnë me përforcimin e kujtesës. Kështu mund të gjejmë një melodi tjetër dhe të shpresojmë që ajo të mos bëhet më e mërzitshme se melodia të cilën donim ta harronim.


Miti: Të dëgjosh Moxartin i bën bebet më inteligjente
E kemi dëgjuar shpesh, por në fakt nuk ka asnjë mbështetje ose provë shkencore, pra kemi të bëjmë me një mit. Ai nisi në vitin 1993, kur në një gazetë shkencore u botua një artikull në të cilin thuhej se studentët e kolegjit para një testi inteligjence po të dëgjonin 10 minuta muzikë nga Moxarti do të përmirësonin aftësinë e të menduarit dhe të të gjykuarit. Kjo ide u vu në zbatim disa vjet më pas nga një guvernator amerikan, i cili vuri një orkestër të luante "Oden e Gëzimit" të Bethovenit në Parlamentin e shtetit të tij dhe kërkoi një fond prej 100 mijë dollarësh për t‘u dërguar CD me këtë pjesë muzikore të gjithë prindërve që sapo kishin sjellë në jetë fëmijë. Sigurisht që për sa u përket politikanëve të Parlamentit ata nuk vunë re ndonjë kthjelltësi të jashtëzakonshme në seancën që pasoi dëgjimin muzikor, por edhe foshnjat që dëgjuan muzikë nuk dolën Ajnshtajn-a. Por efekti i Moxartit dhe i dëgjimit të muzikës në përgjithësi u përhap gjerësisht, por askush nuk mori mundimin të vërtetonte shkencërisht këtë mit. Që nga ajo kohë miti që muzika klasike i bën bebet më të zgjuara dhe njerëzit më të kthjellët mendërisht është botuar e ribotuar shumë herë në shtypin e përditshëm, por çuditërisht edhe atë të specializuar. Por nëse dëgjimi i muzikës klasike nuk ka shanse të të zhdërvjelltësojë trurin për sa u përket fëmijëve që luajnë një instrument muzikor është vërtetuar se ata kanë aftësi më të mira në të arsyetuar. Dhe një gjë e tillë është e vërtetuar edhe shkencërisht, këtë herë.

Miti: Njeriu përdor vetëm 10% të kapacitetit të tij trunor.
Edhe pse gjysma e botës e di një gjë të tillë dhe për më tepër e beson, fakti është se ne e përdorim për ditë gjithë trurin tonë. Por nëse kjo nuk është e vërtetë, si ka mundësi që ky mit ka ngjitur kaq shpejt dhe është përhapur në përmasa të tilla. Në fakt ka një arsye që vlen për të gjitha mitet dhe arsyeja është se shpesh ne besojmë ato gjëra të cilat na pëlqen t‘i besojmë si të vërteta, ato gjëra që duam të dëgjojmë. Për sa i përket mitit në fjalë, përhapja e tij mund të varet nga mesazhi optimist që miti përcjell: nëse ne përdorim vetëm 10% të trurit tonë dhe kemi një jetë normale, imagjino sa veprime të mençura do të bënim në rast se do të përdornim trurin me kapacitet të plotë, pra nëse do të përfshinim edhe 90% përqindëshin e mbetur. E vërteta është se studimet që kanë të bëjnë me aktivitetin trunor tregojnë se edhe detyrat më të thjeshta të cilat i kryejmë bëhen me përfshirjen e të gjithë kapacitetit tonë trunor. Fakti interesant i këtij miti është se si edhe në rastin e disa miteve të tjerë për të është folur edhe në revistat shkencore të specializuara, edhe pse thëniet nuk janë bazuar me asnjë lloj studimi.

Fakt: ushtrimi ta mban trurin në formë
Harrojini shahun dhe fjalëkryqet. Tashmë mund të thuhet se ushtrimet fizike e mbajnë trurin tuaj të shëndetshëm me kalimin e moshës. Ndërsa me kalimin e viteve sistemi i qarkullimit të gjakut pëson edhe ai plakjen e tij, furnizimi i trurit me gjak zvogëlohet dhe neuronet kanë "uri" për oksigjen dhe gjak më shumë se në të ri. Ushtrimet e rregullta fizike bëjnë që të shtohet furnizimi i neuroneve me gjak dhe oksigjen. Në fakt pikërisht ushtrimi fizik është gjëja më e mirë që mund të bëni për të mbajtur në formë trurin edhe me kalimin e moshës. Ata që janë marrë me ushtrime fizike në të ri janë më të kthjellët dhe të mprehtë në mosha më të avancuara. Për të dhënë rezultat, ushtrimet duhet të zgjasin mbi 30 minuta dhe disa herë në javë, por nuk duhet ekzagjeruar se pastaj do të ketë dëmtime në zemër.

No comments: