Meteorologët e Forcave Ajrore parashikojnë ulje të temperaturave dhe përkeqësim të motit gjatë javës që vjen
I ftohti dimëror do të intensifikohet gjatë javës që pritet të kurorëzojë edhe mbylljen e këtij viti. Temperaturat do të ulen më tej, duke sjellë me vete edhe reshje të reja dëbore, sidomos në zonat veriore dhe ato lindore të vendit. Një parashikim i tillë i motit vjen nga sinoptikanët e Shërbimit të Forcave Ajrore. Por, përveç temperaturave që do të zbresin disa shkallë nën zero, në të gjithë vendin nuk do të mungojë as mjegulla. Ajo do të jetë më e intensifikuar gjatë orëve të paradites. Aktualisht, temperaturat e ftohta të këtyre ditëve do të ulen edhe më tej, duke paralajmëruar edhe një egërsim të dimrit, i cili pavarësisht ditëve të fundit ka qenë relativisht i butë dhe me reshje të pakta. E ndërsa të gjithë presin ndryshimin mes viteve dhe janë në gjendje aktive për blerjet dhe shpenzimet me rastin e festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, përpos të tjerave nuk duhet të harrojnë edhe xhupat apo palltot e trasha. Një situatë e tillë klimaterike, sipas parashikimit të sinoptikanëve mendohet të zgjasë për të paktën gjithë javën që vjen, nisur nga dita e hënë. Ata sugjerojnë që të moshuarit, e sidomos personat që vuajnë nga probleme kardiovaskulare dhe ato pulmonare, të qëndrojnë në shtëpi të paktën në orët e ftohta të mëngjesit dhe të darkës, ku temperaturat regjistrojnë nivelet e tyre më të ulëta. Po kështu, e njëjtat këshillë vjen edhe për prindërit e rinj me fëmijë të sapolindur, apo në periudhën e qumështit që të mos i nxjerrin jashtë për shëtitje gjatë orëve kur i ftohti është tejet agresiv.
No comments:
Post a Comment