Kreu shtetëror kërkon zgjidhjen
Shkup, 14 mars - Kuvendi Qendror i Partisë Demokratike Shqiptare unanimisht ka mbështetur kërkesën e kryetarit të kësaj partie Menduh Thaçi për braktisjen e koalicionit qeveritarë me VMRO-DPMNE-në. Lideri i PDSH-së, pas këtij vendimi tha se ky hap nuk është kundër asnjë partie politike dhe as kundër VMRO-DPMNE-së, por për interesat e shqiptarëve. "Për këtë situatë të shqiptarëve në Maqedoni nuk është fajtor vetëm VMRO-DPMNE-ja, por faj kanë të gjitha partitë politike gjatë 17 viteve pluralizëm në Maqedoni. Kërkesat e PDSH-së, nuk janë asgjë më shumë nga ato të cilat parashihen në Marrëveshjen e Ohrit dhe kërkesa të cilat i kërkojnë faktorët ndërkombëtarë", ka potencuar Thaçi. Për realizimin e kërkesave, Thaçi ka bërë të ditur se do të kërkojë mbështetje të plotë nga qytetarët shqiptarë dhe të gjitha subjektet politike shqiptare.
Thaçi ka konfirmuar se ditëve të fundit ka pasur biseda intensive telefonike me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti. "Do të kërkoj mbështetje të plotë nga të gjitha subjektet politike shqiptare dhe qytetarët shqiptarë për realizimin e këtyre kërkesave të kamotshme të shqiptarëve. Ditëve të fundit kam pasur disa biseda telefonike me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe shpresoj që gjatë ditëve të ardhshme do të ulemi në një takim të përbashkët dhe do të bisedojmë për këta kërkesa", ka thënë Thaçi. Lideri i PDSH-së ka komentuar edhe deklaratat e fundit të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, rreth situatës së krijuar. "Ahmeti nuk është i sinqertë kur pohon se PDSH-ja nuk ka pasur alternativë tjetër përveç daljes nga koalicioni qeveritarë. E pyes publikisht kreun e BDI-së, pse gjatë qeverisjes së tij, nuk pati guximin që ta lëshojë koalicionin qeveritarë, pasi që të njëjtat kërkesa shqiptarët i kanë pasur edhe para katër viteve", ka pyetur Thaçi. Kreu i PDSH-së u shpreh se nuk do të ndihet fajtorë në rast se Maqedonia nuk merr ftesë për anëtarësim në samitin e ardhshëm të Bukureshtit. .
No comments:
Post a Comment