Thursday, June 19, 2008

VLORA

Sezoni turistik për qytetin e Vlorës do të çelet të shtunën e dytë të muajit Maj, këtë e ka konfirmuar drejtori i Drejtorisë së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve pranë Bashkisë Vlorë, zoti Ilir Metaj. Ai ka folur për përparësitë dhe programet që ekzistojnë për këtë sezon turistik veror,

të mirëorganizuara nga stafi pranë kësaj bashkie dhe ka premtuar për zhvillimin e një serë aktivitetesh të larmishme kulturore, artistike, sportive , etj, duke garantuar në të njëjtën kohë se këto aktivitete do të përfshijnë të gjitha moshat. Sipas drejtorit Metaj, qyteti i Vlorës përveç resurseve natyrore që ofron është tërheqës edhe për shkak të cilësive të mikpritjes, të bashkëpunimit të Bashkisë Vlorë me operatorët turistikë, të plazheve të pastra dhe të bukura, por dhe falë organizimit të aktiviteteve të gjithanshme kulturore, sportive, etj. Zoti Metaj tha “se e shtuna e dytë e muajit maj përkon pikërisht me çeljen e sezonit turistik veror, miratuar nga Këshilli Bashkiak . Kuptohet kjo është një periudhë ose më mirë të themi janë disa ditë ku Bashkia Vlorë do të promovojë një sezon turistik joshës të qytetit të Vlorës, jo vetëm për bukuritë natyrore që ajo zotëron, por edhe për shkak të cilësive të tjera që janë të dallueshme nga qytete të tjera të Shqipërisë siç janë mikpritja e njerëzve të saj por dhe të aktiviteteve të shumta që do të zhvillohen gjatë sezonit turistik, por s’mund të lë këtu pa përmendur gastronominë mjaft të mirë dhe çmimin e cilësisë hoteliere të Vlorës.”
Ndërkaq Meta ka folur dhe për nivelin e urave të bashkëpunimit midis Bashkisë Vlorë dhe Ministrisë së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve për rehabilitimin e Plazhit të Vjetër si dhe për pengesat trevjeçare për ta pastruar dhe për ta bërë atë plazh funksional. Ai thotë se “bashkëpunimit midis Bashkisë Vlorë dhe Ministrisë së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve është mjaft i ulët dhe ndihmat financiare përfshijnë vlerën zero lekë të reja, kjo jo për shkak të problemeve që kanë të bëjnë me Bashkinë Vlorë, por pikërisht me mungesën e legjislacionit për shkak të atyre njerëzve që e kishin zënë forcërisht atë plazh. Më në fund Plazhi i Vjetër do të kthehet në një nga pikat që do të frekuentohet gjerësisht nga pushuesi”. Përsos të tjerave Drejtorisë së Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve pranë bashkisë Vlorë zoti Ilir Metaj, ka theksuar se edhe këtë vit Vlora do të ketë ofertën më të mirë turistike në vend, duke vazhduar të mbajë kurorën e mbretëreshës së turizmit.


No comments: