Wednesday, June 25, 2008

Shpina, një ditë do na dhembë të gjithëve

Shpesh shkaqet e shqetësimeve janë të ndryshme nga ato që ne mendojmë

Sipas një statistike të fundit, në Evropë 4 ndër 5 persona vuajnë nga dhimbjet e shpinës. Por jo gjithmonë vuajtja vjen nga shkaqet që mendojmë.


Sot në mëngjes me siguri që nuk je menduar dy herë para se të ngrije çantën e rëndë e ta vendosje mbi shpatulla, ndërkohë që tentoje të mbyllje derën me njërën dorë dhe me tjetrën të fusje në gojë një patatinë. Mund të vijë një ditë kur qoftë edhe një prej këtyre veprimeve të thjeshta e të përditshme mund të të shkaktojë një dhimbje të tillë shpine, aq të dhimbshme, sa të të çojë direkt te mjeku për vizitë, në më të mirën e rasteve. Ka edhe nga ata që sigurisht për arsye kohe a arsye personale reagojnë ndaj dhimbjeve vetëm duke përdorur qetësues. Një pjesë e madhe prej nesh herët ose vonë do të nisin të kenë simptomat e dhimbjes së shpinës. Por kjo nuk është një situatë fatale, pasi mjafton të jesh i kujdesshëm e të kesh parasysh disa këshilla që të mos bëhesh pjesë e statistikës. Ka shumë këshilla që i dëgjojmë lart e poshtë, të cilat nuk janë të duhurat dhe nuk na ndihmojnë që të arrijmë rezultatin pozitiv. Ja disa syresh që mund t‘ju vijnë shumë në ndihmë në vitet në vijim.


A ju shkakton dhimbje shpine ngritja e peshave të rënda?

Një pjesë e madhe e dëmtimeve shkaktohet jo nga ngritja e peshave të rënda, por nga mënyra se si bëhet një veprim i tillë. Po kështu, ne kryejmë shpesh veprime të shpejta e të pamenduara, që lënë pasoja, në mos të menjëhershme, afatgjata. Të tilla janë rastet kur përkulemi shumë mbi kompjuter, kur e kthejmë kokën befasisht shumë shpejt, apo kur ngremë një peshë pa u menduar mirë dhe në mënyrë të menjëhershme. Këto veprime janë të gabuara dhe në kohën e gabuar. Kështu, në rast se do të duam të ngremë një ngarkesë dhe njëherazi të mos kemi dëmtim, duhet të veprojmë në këtë mënyrë: të qëndrojmë me kurrizin drejt, të marrim objektin duke e afruar me ngadalë drejt trupit dhe ta shpërndajmë gradualisht peshën në të gjithë trupin. Kështu do angazhojmë gjithë muskulaturën, e jo vetëm atë të shpatullave e kurrizit, në mënyrë që kur ta kemi ngarkesën mbi krahë, i gjithë trupi të jetë në "dijeni" të rëndesës e ta përballojë si një i vetëm. Por kjo nuk vlen vetëm për sendet e rënda. Edhe për marrjen e një pene të vogël nga dyshemeja duhet bërë kujdes. Pra, mbani mend se më e rëndësishme se pesha e një objekti është mënyra e marrjes së tij.

A na ndihmon të ulurit me kurrizin e drejtuar për të shmangur dhimbjet në të ardhme?

E mbani mend mamanë kur ju thoshte, ndërsa qëndronit para kompjuterit, që të mbanit kurrizin drejt, në një kënd 90 gradë? Sipas studimeve të fundit, ata që e kanë dëgjuar një këshillë të tillë kanë më shumë mundësi për t‘u prekur nga dhimbja e kurrizit, se sa ata që kanë qëndruar në një kënd prej 135 gradësh. Këshilla në këtë rast është ndryshimi i shpeshtë i pozicionit kur jemi ulur dhe jo qëndrimi në të njëjtin pozicion për një kohë të gjatë. Mungesa e lëvizjes është po aq problematike sa edhe lëvizjet e tepruara, duke qenë se qëndrimi në të njëjtin pozicion për një periudhë të gjatë shkakton shumë presion në rruazat e shtyllës kurrizore. Nëse kalon një pjesë të madhe të kohës në tryezë, mundohu që të ndryshosh vazhdimisht qëndrim. Më i miri do të ishte një qëndrim me këmbët gjysmë të hapura dhe kurrizin në një kënd 135 gradë. Kjo të ndihmon që të shpërndash peshën e trupit. Por, pavarësisht mënyrave të qëndrimit dhe ndryshimit të vazhdueshëm të tij, këshillohet që çdo 40 minuta të ngrihesh nga tryeza e të bësh një ecje të shkurtër.

A janë të dobishme mjekimet alternative?

Në disa raste mjekimet alternative mund të jenë më të efektshme se terapia konvencionale. Një studim i fundit gjerman zbuloi se më shumë se gjysma e pacientëve me probleme të dhimbjes së shpinës, që kishin kryer seksione agupunturë te mjekët kinezë, kishin pasur shumë përmirësime të gjendjes së tyre shëndetësore. Ky lloj mjekimi alternativ shton fluksin e gjakut dhe qarkullimin e tij në zonat e prekura, duke vënë në punë edhe gjëndra të caktuara që lëshojnë lëngje hormonale qetësuese. Terapitë alternative e bazojnë kurimin e tyre tek ideja se shkaku i dhimbjes së shpinës është zhvendosja e vertebrave të shtyllës kurrizore, ndaj edhe përqendrimi është i gjithi te vertebrat. Gjatë procedurës, mbi shpinë aplikohet një peshë jo shumë e madhe, e cila nëse fokusohet në vendin e duhur arrin të japë shumë rezultat dhe të çojë në vend vertebrat.

Cili shtrat do të ishte më i miri?

Ka shumë mundësi që pikërisht shtrati ku flini të jetë edhe burimi i dhimbjeve tuaja. Nëse arrini të gjeni dyshekun e përshtatshëm, do të ishit me të vërtetë i fituar. Por cili është ai? Nëse do të kishit një dyshek shumë të butë, nuk do ishte mirë, sepse trupi do të krijonte gunga. Edhe nëse do të merrnit një dyshek të fortë, presioni mbi trupin tuaj do të rritej e si pasojë vjen tendosja e dhimbjet. Sipas një studimi, personat që flenë në një dyshek gjysmë të fortë kanë më shumë shanse të jenë të shëndetshëm dhe të përjetojnë më pak dhimbje nga ata që flenë ose në dyshek shumë të butë, ose e kundërta.

Këshilla për shpinën: Çfarë duhet të bëni kur jeni në krizë?

24 orëshi i parë

Është shumë e vështirë që të përcaktohet një diagnozë ditën e parë të dhimbjeve akute, pasi zona e prekur është e infektuar. Substancat inflamatore janë si zamka, pra i ngjisin bashkë fibrat muskulore, duke e reduktuar në maksimum lëvizjen. Çelësi i suksesit është që ta marrësh shtruar dhe të qëndrosh shtrirë, nëse ke mundësi. Në momentin e parë janë të dobishme medikamentet anti-inflamatore, si aspirina apo ibuprofeni. Në vendin ku ke dhimbje mund të vendosësh kubikë akulli. Kjo do të ndalojë substancat inflamatore që të hyjnë në ind dhe do përshpejtojë shërimin.

Dita e dytë

Shpina juaj mund të jetë më shumë e nxirë, se sa të të japë dhembje dhe kjo është shenjë e fillimit të shërimit. Vazhdoni ta merrni shtruar, por ndërkohë përpiquni që të lëvizni për të stimuluar qarkullimin. Gjithmonë dëgjoni atë që ju "thotë" trupi, pasi trupi gjithmonë, nëse ne dimë ta dëgjojmë, na thotë gjëra të dobishme. Disa lloje dhimbjesh (zakonisht dhimbjet muskulore) nisin të qetësohen pas lëvizjeve dhe fërkimeve të buta, por të tjerat (zakonisht dhimbjet e nervave) janë më të dhimbshme. Nëse konstatoni se gjendja përkeqësohet, atëherë duhet të mos lëvizni shumë e të riktheheni në shtrat.

Dita e tretë

Kjo është një periudhë shumë e rëndësishme. Nëse intensiteti i simptomave është në rritje, atëherë dhimbja nuk do të kalojë vetiu, por ju do të keni nevojë për një specialist. Nëse keni më shumë një shqetësim, se sa një dhimbje të mirëfilltë, atëherë në vend të akullit që duhet të përdornit në fillim, duhet ta trajtoni veten me ujë të nxehtë në zonën e dhimbjes. Nëse gjithsesi dhimbja përkeqësohet, duhet të takoni mjekun.

No comments: