Nxënësit e Gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë në përkrahjen e profesorëve dhe Drejtorisë për Arsim dhe Shkencë të KK të Mitrovicës, organizojnë panairin e shkencës dhe kulturës.
Panairi do të jetë i hapur nga 10 maj deri më 13 maj, në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, në Mitrovicë.
Është ky viti i tretë qëkur gjimnazistët në një performancë të shkëlqyer arrijnë të promovojnë dijen e tyre në kontekstin praktik, qëllim i së cilit është promovimi i të arriturave shkencore e kulturore.
Sipas organizatorëve përgatitjet janë në fazën e fundit dhe së shpejti do të paraqiten para opinionit me një bagazh të larmishëm njohurish.
200 nxënës të sistemuar në grupet përkatëse (sektore), tashmë kanë zgjedhur lëmit e caktuara (lëndët mësimore).
Puna ekipore është baza e këtij aktiviteti andaj edhe kësaj radhe theks të veçantë do t’u kushtohet sektorëve, të cilat pretendojnë të prezantojnë punën në mënyrë praktike.
Ky aktivitet edukativo-arsimor i adresohet nxënësve, në veçanti të rinjve. Me këtë angazhim të rinjtë do të mund të shpalosin njohuritë, punën, kreativitetin dhe vullnetin e tyre për të kontribuar në mënyrë pozitive në shoqërinë tone.
“Dija, gjëja më e çmuar e secilit prej nesh, mungon shumë te nxënësit në shoqërinë tonë,” tha Fidan Ademi, njëri ndër organizatorët.
Ai thotë se shkollat në regjionin e Mitrovicës kanë mungesë të theksuar të inventarit shkollorë dhe të kabineteve, andaj ky aktivitet është një mundësi e mirë për përfitimin e eksperiencave të reja.
“Panairi është alternativë e mirë për përfitimin e njohurive, andaj ne jemi të mendimit se ky aktivitet do të ketë ndikim pozitiv në të gjitha shtresat e shoqërisë,” pohoi Ademi.
No comments:
Post a Comment