Tuesday, May 6, 2008

Në Galerinë Kombëtare Çifte Amam në Shkup u kremtua 2 vjetori i themelimit të “Zgjohu”.



“ZGJOHU” ME PËRFAQËSI TË REJA

“Së shpejti do të hapim zyra në Tetovë, Gostivar, Strugë, Kërçovë dhe Kumanovë, e cila do të jetë një nga sfidat më të vështira të lëvizjes”, tha kryetari i OJQ “Zgjohu” z. Grubi.

“Zgjohu” të hënën në Galerinë kombëtare Çifte Amam në Çarshinë e Vjetër të Shkupit festoi ditëlindjen e dytë. Kremten e begatuan emrat e njohur të skenës polike, ambasadorë si dhe mysafirë nga Kosova dhe Shqipëria.

“Zgjohu solli frymë të re, ajo gjatë dy viteve arriti të vetëdijësojë popullatën shqiptare në Maqedoni, ne ngelemi me shpresë se kjo rrugë që e hapi kjo lëvizje do të ndiqet edhe më tëj si nga qytetarët ashtu edhe nga politikanët”, deklaroi kryetari i Lëvizjes Qytetare “Zgjohu”, Artan Grubi.

Sipas tij, nuk do ngelet me kaq, fillimisht pas festimit të dyvjetorit, kjo organizatë do të angazhohet për motivimin e qytetarëve për të dalë në vend- votime, sepse vetëm atëhërë do të evitohen mundësitë e keqpërdorimit të votës.


“Viti i tretë i “Zgjohut” do të jetë vit i zgjerimit nëpër qytetet tjera shqiptare, sepse së shpejti do të hapim zyra në Tetovë, Gostivar, Strugë, Kërçovë dhe Kumanovë, e cila do të jetë një nga sfidat më të vështira të lëvizjes”, tha kryetari i OJQ “Zgjohu” z.Grubi.

Ndërsa për rëndësinë dhe rolin që kanë OJQ- të në vend dhe gjetiu për ruajtjen e kulturës dhe traditën foli Ambasadori i Gjermanisë në Maqedoni, Ralf Bret.

“Përvjetori zakonisht është mundësi për të uruar dhe për të dëshiruar suksese dhe shëndet të mëtutjeshëm. Ndaj unë lëvizjes “Zgjohu” i uroj shumë suksese. Duhet potencuar se bashkëpunimi ynë do të vijojë edhe mëtej, sepse shoqëria qytetare fiton shumë nga projektet që realizon kjo shoqatë”, tha në fund Ambasadori i Gjermanisë në Maqedoni Bret, në fjalën e rastit.

Atmosferën e bënë edhe më festive tingujt e interpretur nga violinisti Blerim Grubi dhe kitaristi Dukagjin Ismaili si dhe këngët e kënduara nga grupi “Okteti plus” nga Prishtina.


No comments: