Friday, September 28, 2007

NDAHET NGA JETA DR. LUTFI TURKESHI

Grupi letrar dhe gazetarët e Dibrës mbajtën mbledhje komemorative, ku i dhanë lamtumirën e fundit, kolegut të tyre të nderuar dr. Lutfi Turkeshit. “Të flasësh për kolegun, aktivistin, letrarin, njeriun që ia përkushtoi tërë jetën gazetarisë është tejet vështirë në këto çaste për të gjithë ne dibranët, sepse ai jo vetëm që ishte prind i dashur, ishte koleg që me zemrën e tij të madhe gjithmonë diti të mbajë afër njerëzit e penës, si dhe të gjithë ata që e rrethonin, me dashuri dhe sinqeritet. Ai dinte të respektonte çdo qenie njerëzore”, u tha në mbledhjen komemorative.


Të hënën, papritmas, në moshën 59 vjeçare, në Dibër, u nda nga jeta publicisti i njohur dr. Lutfi Turkeshi, i cili për tri dekada punonte si gazetar në Radio Shkupin.
Turkeshi lindi më 1947, në Dibër. Shkencat politike, degën e gazetarisë i ka mbaruar në Zagreb, ndërsa studimet postdiplomike dhe doktoratën për historiografi në gazetari e mbaroi në Tiranë, ku fitoi titullin Doktor i Historiografisë së Gazetarisë.

Turkeshi është i njohur me veprat e shumta në publicistike. Ai ka botuar librat: “Pena për çështjen kombëtare”, “Nga fjala në fjalë metaforë”, “Dibra nëpër shekuj”, “Historia e shtypit shqiptar”, “Evenimente”, “Në rrjedhë”.
Çmimin për publicistikë “Mito Haxhivasilev Jasmin”, e ka marrë për veprën “Dibra nëpër shekuj”.

Turkeshi ishte edhe kryetar i klubit të shkrimtarëve shqiptarë “Art klub” në Dibër. Në gazetari është i njohur për nga fejtonet e shumta të publikuara në gazetat “Flaka”, “Fakti” dhe gazetat tjera shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë.Lutfi Turkeshi ka shkruar qindra recensione librash, artikuj dhe reportazhe.Kryeredaktori i Radio Shkupit, Haki Mustafa tha se ndarja e Turkeshit është një humbje e madhe për institucionin e tyre. “Doktor Lutfi Turkeshi u nda nga ne, kur më së shumti iu desh këtij programi.

Ne planifikonim që këtë vit të startonim me 17-të orë program, njëherësh ai ishte dhe shtylla e programit, sepse vinte me shumë emisione, programe të ndryshme. Ai ka qene bartës kryesor i redaksisë së kulturës që vite të tëra ka dhënë një kontribut të çmuar në këtë program”.

Sipas Mustafës, puna dhe fjala e tij e bukur ende është e incizuar në Radio Shkupi. “Ne humbëm njeriun që më së shumti na duhej në këtë moment historik të Radio Shkupit”.

Nuri Koleci, anëtar i “Art klub”-it që drejtohej nga Turkeshi, tha se klubi letrar humbi kryetarin e saj të devotshëm, i cili nuk kurseu as kohë, as dije për mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve tona. “I tillë ka qenë edhe në mbarë përpjekjet e tija për avancimin e çështjes kombëtare në përgjithësi.

Me dhimbje të thellë po lajmërojmë se Dibra humbi qytetarin e saj, intelektualin, doktorin e shkencave, Radio Shkupi humbi doajenin, aktivistin, i cili mbi tri dekada ka dhënë kontributin e tij në të gjitha lëmenjtë, humbi njeriun më të mirë, prindin më të devotshëm”. I tronditur për këtë të papritur, Koleci tha se ngushëllohen me atë që vepra e tij në tërësi do të mbetet e pashlyeshme.

1 comment:

Erra' 2000 said...

hej rina, beju e forte, jeta i ka keto, babai i juaj me te vertet ishte njeri i mire,
ngushellime te sinqerta per familjen e juaj.