Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof. dr. Sadi Bexheti dhe Rektori i Universitetit “Eqrem Çabej”-Gjirokastër, prof. asoc. Gëzim Sala, nënshkruan marrëveshje bilaterale të bashkëpunimit. Marrëveshja në fjalë parasheh bashkëpunimin në organizimin e përbashkët të studimeve deridiplomike dhe pasdiplomike, shkëmbimin e përvojave dhe informacioneve për programet studimore, shkëmbimin e profesorëve dhe studentëve, projekte të përbashkëta hulumtuese shkencore, shkëmbimin e botimeve të publikuara nga universitetet, për botime të përbashkëta dhe në lëmi tjera të që janë në interes të dy universiteteve e ku mund të realizohet bashkëpunimi.
Të pranishëm gjatë aktit të nënshkrimit të marrëveshjes ishin edhe prorektorët për shkencë e marrëdhënie me jashtë dhe ai për çështje mësimore të Universitetit “Eqrem Çabej”, prof. dr. Liljana Reçka dhe prof. dr. Petro Karajani si dhe dekanët prof. dr. Kristaq Kinina i Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe prof. dr. Roland Zisi, i Fakultetit të Edukimit dhe Shkencave Shoqërore. Nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, të pranishëm ishin edhe Prorektori për shkencë, prof. dr. Agim Shabani dhe Përgjegjësi për politikë regjistruese, Qufli Osmani.
Rektori i USHT-së, prof. dr. Sadi Bexheti u shpreh se është më se i bindur dhe më optimist se kurrë se bashkëpunimi mes dy universiteteve do të funksionoj. “Kjo marrëveshje është në dobi të të dy universiteteve. Pas disa marrëveshjeve me më shumë institucione të larta arsimore, kjo e radhës me Universitetin e Gjirokastrës rrumbullakon bashkëpunimin mes Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe universiteteve nga Shqipëria.”- tha Rektori Prof. dr. Sadi Bexheti.
No comments:
Post a Comment