Sunday, July 27, 2008

Përfundoi me sukses Universiteti Veror 2008- USHT

Studentët: “Shumëçka kemi të përbashkëta e shumë pak dallime”

25 korrik, Ohër – Në ambientet e Qendrës së Kongreseve në Ohër, në mënyrë solemne u bë ndarja e certifikatave për studentët pjesëmarrës në Universitetin Veror 2008 organizuar nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, programi studimor i gazetarisë. Të pranishëm në evenimentin solemn të mbylljes së Universitetit dhe ndarjes së certifikatave ishin profesori arbëresh Matteo Madnala nga Universiteti i Palermos, Mark Marku, Henri Çili nga Universiteti Evropian në Tiranë, Dhurata Shehri, Persida Asllani, Salajdin Salihu, gazetari i Top Channel, Alban Dudushi, gazetarë tjerë dhe përfaqësues të USHT-së.

Në emër të Rektoratit të USHT-së, sekretari gjeneral, Ali Salihi e shpalli të mbyllur Universitetin Veror 2008 dhe vlerësoi si të suksesshëm tërë aktivitetet dhjetë ditore të ndërmarra gjatë këtij organizimi. Koordinatori kryesor, Ylber Lili dhe ndihmës koordinatori për çështje akademike të UV 2008, Mark Marku vlerësuan se ligjëratat e realizuara nga emra të shquar të diplomacisë, politikës, filozofisë, gazetarisë dhe fushës së komunikimit e letërsisë mundësuan realizimin e përkryer të këtij projekti komunikimi mbarëshqiptar. “Iniciativa e ndërmarrë, këtë herë nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, do të jetë pikënisje për projekte të tilla të ngjashme edhe më tej nga Universitetet shqiptare në fushën e komunikimit dhe integrimeve për shqiptarët, duke rrëzuar kështu çdo barrierë komunikimi mes vendeve ku jetojnë shqiptarët” u shpreh Lili. “Ndjehem i lumtur që isha pjesë e këtij projekti të madh e që bashkërisht mundësuam që të eliminohen stereotipet e keqkuptimet përkundrejt mirëkuptimit e komunikimit pa kufij. Konsideroj që Universiteti Veror 2008 është projekt i shumë i veçantë i llojit të vet dhe se mundësoi njohje të ndërsjella, shkëmbim përvojash, idesh e njohurish, për studentët nga Shqipëria, Maqedoni dhe Kosova” u shpreh profesor Marku në fjalimin e rastit.

Edhe studentët u ndanë të kënaqur nga organizimi dhe mbarëvajtja e Universitetit Veror. “Është kënaqësi të jesh pjesëmarrës në këtë Universitet Veror, me ligjërues ekspert nga fusha e komunikimit dhe integrimit. Këtu mësuam dhe përfituam shumë. E më e veçanta, mësuam se shqiptarët, pa marrë parasysh ku ndodhen, kanë më shumë gjëra të përbashkëta se sa kanë dallime.”- u shpreh njëri prej studentëve pjesëmarrës.

Në mbrëmjen e fundit të UV2008, në mënyrë solemne u ndanë edhe certifikata për studentët pjesëmarrës. Një grup studentësh nga arti figurativ punuan nga një pikturë për Universitetet respektivisht fakultetet, studentët e të cilëve ishin pjesëmarrës.

Kumtesat e ligjëruesve gjatë Universitetit Veror 2008 do të botohen në një libër të veçantë, botuar nga Universiteti Shtetëror i Tetovës.

No comments: