Wednesday, April 16, 2008

PROTESTA NË FSHATIN STRAÇINCË TË SHKUPIT


STRAÇINASIT REVOLTUAR


Banorët e fshatit Straçincë për dhjetë ditë me
rradhë protestojnë në hyrje dhe dalje të fshatit për ta mbrojtur rrugën e tyre më të afërt që lidh këtë fshat me qytetin e Shkupit.

Edhe pse më parë banorëve e fshatit Straçincë u kanë premtuar ndërtimin e një ure, tani me një vendim të pakuptimtë informohen se ura nuk do të ndërtohet, madje do të ndërpritet edhe rruga të cilën e shfrytëzojnë me vite të tëra.

“Ne nuk jemi për ndërprerjen e rrugës, por kontinuitetin e asaj rruge ne duam ta rruajmë përmes ndërtimit të një ure, ne si fshat ishim mjaft solidar dhe dhuruam pjesë të arrave me kusht që të mos prishen shtëpitë e maqedonasve dhe të krijohen kushte për ndërtimin e urës”, tha kryetari i bashkësisë lokale të fshatit Straçince, Refik Ganiu.

Sipas tij, komuna e Gazibabës, Banka e cila i siguron mjetet financiare si dhe Fondi për Rrugë Magjistrale dhe Rajonale janë marrë vesh që ura të ndërtohet.

”Ne kemi vendim edhe prej Fondit të Rrugëve, arritëm të bëjmë edhe ekspropoimin e tokave ku do të realizohet objekti”, informon Ganiu.

Në anën tjetër nga Fondi për Rrugë Rajonale dhe Magjistrale flasin të kundërtën.

“Për objektin që ata për momentin kërkojnë nuk ka projekt të përpunuar , dua të them se ndërtimi i qarkores veriore është afatizuar dhe e njejta duhet të përfundojë deri në fund të qershorit, që do të thotë se konstrukcioni financiar është përmbyllur dhe për momentin ne nuk jemi në gjendje të bëjmë shtyerje të reja apo të përpunojmë projektet të reja”, tha zëdhënësja e Fondit për Rrugë Rajonale dhe Magjistrale, Katerina Panova.

Qytetarët shprehin mllefin dhe pakënaqësit e tyre për shkak se ndërprerja e rrugës është në disfavor të tyre.

“ Ne jemi për qarkoren, ata edhe pse na premtuan tash duan ta ndërpresin edhe rrugën më të afërt që lidh këtë fshat me qytetin e Shkupit e cila nuk është e pranueshmë për ne. Duhet të bëjnë më shumë harxhime sepse jemi të detyruar të udhëtojmë 700 metra më larg, ndërsa për të arritur deri tek tokat e punueshme do duhet të udhëtojmë 5 km më shumë ”, tha Izet Ajrullahu, banor i Straçincës.

Straçinasit do të vijojnë të protestojnë deri në realizimin e kërkesës së tyrë.

No comments: