Saturday, February 16, 2008

Kosova mban frymën deri dekikun e fundit

Një telefonatë "diplomatike" ka ndryshuar papritur planin e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për të bërë publike datën dhe orën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Një bombë e shpërthyer pranë zyrës së Bashkimit Evropian në Mitrovicën veriore ka qenë një nga shkaqet kryesore që ka rritur frikën te komuniteti ndërkombëtar, i cili nuk ka "lejuar" kosovarët të nisin festimet që ditën e djeshme. Gjithçka ishte përgatitur në mëngjes, nëpërmjet njoftimeve nga zëdhënësi i Kryeministrit Thaçi. Agjencitë e lajmeve përhapën lajmin se data do të shpallet në orën 13.30 nga kreu i qeverisë së Kosovës, në Qendrën Ndërkombëtare të Shtypit. Një prej zyrtarëve të qeverisë bëri të ditur për "Shqip" se konferenca e Thaçit do të përbënte lajmin e ditës. Stacioni prestigjioz botëror BBC ndërpreu transmetimet për të dhënë direkt evenimentin që ishte paralajmëruar nga Prishtina... Por, Kryeministri Thaçi ka "zhgënjyer" mediat, duke mos e përmendur sërish datën dhe orën e shpalljes së krijimit të shtetit më të ri në Evropë. Zyrtarisht, Thaçi publikoi se do të njoftonte ngritjen e zyrës për mbrojtjen e minoriteteve, që në fakt ishte marrë disa ditë më parë. Pyetjes së gazetës "Shqip" se a ka ndryshim nga axhenda e përcaktuar në lidhje me pavarësinë, Kryeministri Thaçi iu përgjigj se "nuk ka asnjë ndryshim të axhendës, sepse ne po punojmë sipas planit ditor të përcaktuar që më përpara". Një zyrtar i afërt me Kryeministrin, bëri të ditur se ka qenë ndërhyrja e qarqeve diplomatike të Perëndimit, të cilat kanë sugjeruar Thaçin të mos e shpallte festën, duke e argumentuar këtë si një masë sigurie paraprake nga incidentet, por edhe për të pritur takimin mes Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, i cili u mbajt dje pasdite (me orën lokale të Shqipërisë) në Shtëpinë e Bardhë.

Pak pas orës 22.30, një sasi tritoli ka shpërthyer në lagjen "Çeta e Minatorëve" në Mitrovicën e veriut, matanë Ibrit, e cila banohet nga serbët. Shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe ka alarmuar menjëherë KFOR-in, UNMIK-un, si dhe institucionet e tjera ndërkombëtare që ndodhen në Kosovë. Me gjithë qetësimet e Shërbimit Policor të Kosovës, zëdhënësi i të cilit, Veton Elshani, tha për "Shqip" se është një ngjarje e izoluar pranë banesës së një qytetari, incidenti nuk kaloi pa lënë gjurmë, pasi ndodhi fare pranë zyrës së observatorëve të Bashkimit Evropian në Mitrovicën e Veriut. Sot në mëngjes mbërrin në Prishtinë kontingjenti i parë i misionit civil të BE-së prej 1800 punonjësish civilë e policë, të cilët duhet të instalohen në të gjitha anët e Kosovës, e veçanërisht në enklavat e banuara nga serbët. Pikërisht hyrja e misionit të Bashkimit Evropian ka qenë një nga shkaqet e tjera të tërheqjes së Thaçit për ta deklaruar datën dhe orën e shpalljes së pavarësinë. Ndërkaq, për të qetësuar situatën, zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës citon pikërisht Kryeministrin Thaçi në përgjigjen e dhënë për "Shqip", që "axhenda e pavarësisë nuk ka ndryshuar". Pra, të dielën pasdite, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet për të votuar deklaratën e sovranitetit dhe lindjen e shtetit më të ri në botë.
"Edhe pse nuk do të bëjë dëm të madh, Beogradi nuk do të qëndrojë duarkryq", thotë Edita Tahiri, një nga deputetet kryesore të Partisë Demokratike të Kosovës, në pushtet. Një fakt që na e konfirmojnë edhe zyrtarët e qeverisë, të cilët bëjnë të ditur se bllokada e paralajmëruar nga Kryeministri Koshtunica, do të vihet në fuqi që të hënën në mëngjes, por që nuk do të ketë efekt. Por Prishtina nuk ka qëndruar duarkryq për të marrë masat antibllokadë. Qeveria e Kosovës e ka shpallur vendin në "krizë emergjence" për sa i përket furnizimit me energji elektrike, duke autorizuar Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës, që të sigurojë sasinë e duhur të energjisë që mund të ndërpritet nga Serbia. Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë po bën analiza të përditshme për ujin që furnizon një pjesë të veriut të Kosovës, i cili vjen nga pjesa ku jetojnë serbët. Të dhëna nga shërbimet inteligjente nuk e kanë përjashtuar mundësinë e kontaminimit, por këto zëra nuk janë verifikuar nga burime zyrtare. Ndërkaq, Ministria e Brendshme, që prej ditës së sotme, do ta mbyllë kufirin me Serbinë në pikat kufitare të Mitrovicës dhe të Merdarës për të parandaluar hyrjen e kontingjenteve të rrezikshme. Zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani, duke folur për "Shqip", tha se nuk ka vendim zyrtar për mbylljen e kufijve, duke mohuar kështu disa lajme të përhapura, që kanë preokupuar edhe kufirin me Shqipërinë. Elshani tha se kufiri me Shqipërinë jo vetëm që nuk do të mbyllet, por do të shtohet personeli për të pritur një numër sa më të madh qytetarësh që duan të vijnë në Kosovë, me rastin e shpalljes së pavarësisë. Të gjithë rrinë me frymën të mbajtur deri nesër pasdite. Me sytë nga Uashingtoni dhe Brukseli...

No comments: